Dita Evropiane e Sportit në Shkolla

Dita Evropiane e Sportit në Shkolla

Νë shkollën tonë, e festuam Ditën Evropiane të Sportit përmes një sërë aktivitetesh që ndërthurën sportin, lëvizjen, traditën dhe kujdesin për shëndetin.

Nxënësit u ndanë në disa grupe dhe e shijuan ditën në mënyra të ndryshme. Një pjesë e tyre u angazhua në aktivitete sportive dhe valle popullore, duke sjellë energji, argëtim dhe frymën e bashkëpunimit.

Një grup tjetër ndërmori një ecje në këmbë drejt Manastirit të Kostarit, duke e kthyer aktivitetin fizik edhe në një mundësi për të shijuar natyrën dhe bukuritë e zonës.

Ndërkohë, nxënësit e një grupi tjetër morën pjesë në një referim të shkurtër nga mësuesit tanë mbi ushqyerjen e shëndetshme, duke mësuar më shumë mbi rëndësinë e një ushqyerjeje të ekuilibruar dhe të një stili të shëndetshëm jetese.

Një ditë e mbushur me lëvizje, buzëqeshje, dije dhe bashkëpunim, që na kujtoi se shëndeti ndërtohet çdo ditë, përmes aktivitetit fizik, ushqyerjes së mirë dhe kujdesit për veten.

Të lëvizim, të mësojmë dhe të rritemi së bashku!