Kryepeshkopi Anastas

I lindur në 4 nëntor 1929 në Pire të Greqisë, teolog, shkrimtar dhe profesor emeritus i Universitetit Kombëtar të Athinës, anëtar i Akademisë së Athinës, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi ia kushtoi jetën ortodoksizmit dhe la pas një trashëgimi të pasur teksa në vitin 2000 u nominua për Çmimin Nobel për Paqen. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. Ndërkohë, në 2017 kishte marrë shtetësinë shqiptare.

Për herë të parë në Shqipëri, mbërriti më 16 korrik 1991. Për ta pritur në aeroportin e “Rinasit” dolën një grup besimtarësh orthodhoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera, por asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare.

U fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 33 vite më parë në moshën 63-vjeçare duke i rezistuar referendumit të vitit 1994 ku qeveria e atëhershme futi në projektligj një nen që i ndalonte udhëheqësit fetarë me nënshtetësi të huaj të ushtronin detyra fetare. Me 6 nëntor Referendumi u rrëzua me votë popullore. Për Shkëlqesinë e tij ardhja në Shqipëri ishte pjesa e tretë e tri periudhave të jetës.

Përmes vështirësive të shumta, ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: u riorganizuan më tepër se 400 famulli, u themelua Akademia Theologjikë “Ngjallja e Krishtit” në Durrës dy Lice kishtarë; shkolloi dhe dorëzoi 159 klerikë. Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë. U ndërtuan 155 kisha të reja, u restauruan rreth 200 kisha, si dhe 75 qendra kishtare Vepra totale ndërtuese arrin në afro 500 ndërtesa

Katedralja Ngjallja e Krishtit, e vendosur në qendër të Tiranës e cila është kisha e tretë më e madhe ortodokse në Evropë është një ndër dhuratat e Hirësisë së tij për popullin shqiptar. Ajo u hap zyrtarisht në 24 qershor 2012, për të festuar 20-vjetorin e ringjalljes së Kishës Ortodokse Shqiptare dhe zgjedhjen e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Gjatë tensioneve politike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontribuoi në zbutjen e tyre dhe në afrimin e dy vendeve. Nëpërmjet iniciativave dhe veprës së tij u është ofruar punë mijëra vetëve; u krijuan vepra serioze të strukturës sociale dhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë është bërë një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi.

Në vitin 2000, pas propozimit të Akademisë Athinës dhe shumë personalitete të Shqipërisë, ishte kandidat për Çmimin Nobel të Paqes. Ndërsa i janë akorduar 30 medalje dhe çmime nga vende të ndryshme.